Shpresim Mahmuti

1394-title

Shpresim Mahmuti, 25 vjeç, është nga Shtimja. Studimet themelore i përfundoi në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në programin Arkitekturë, Dizajn dhe Konstruksioni i Drurit. Më pas vijoi studimet e nivelit master në programin Arkitekturë e Gjelbër dhe Interier në të njëjtin universitet. Aktualisht është në përfundim të studimeve master në Universitetin e Prishtinës, në programin Edukim – Mësimdhënia e lëndës së Teknologjisë dhe TIK-ut.

Shpresimi është i përkushtuar për avancimin e arsimit përmes metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe integrimit të teknologjisë në procesin mësimor. Ai beson se nxënësit/et mësojnë më mirë kur kanë mundësi ta përjetojnë dijen në mënyrë praktike, duke e parë, prekur dhe provuar atë që mësojnë. Për këtë arsye, ai organizon aktivitete praktike, gara edukative dhe vizita mësimore, me qëllim që nxënësit/et të zhvillojnë aftësi praktike, mendim kritik dhe kreativitet.

Gjatë angazhimit të tij profesional dhe vullnetar, Shpresimi ka bashkëpunuar edhe me organizata joqeveritare që punojnë në zhvillimin e të rinjve dhe nxënësve/eve në fusha të ndryshme si arsimi, sporti dhe kultura. Përmes këtyre aktiviteteve ai ka kontribuar në organizimin e iniciativave edukative dhe sociale që synojnë zhvillimin e potencialit të të rinjve dhe përfshirjen e tyre aktive në komunitet.

Karrierën e tij si mësimdhënës e filloi në qershor të vitit 2023 në SHFMU “Emin Duraku” në komunën e Shtimes, ku vazhdon të punojë edhe sot. Në punën e tij ai synon të krijojë një mjedis mësimor bashkëpunues, kreativ dhe gjithëpërfshirës për të gjithë nxënësit/et, duke integruar teknologjinë dhe duke i inkurajuar ata të zhvillojnë aftësi praktike dhe të besojnë në potencialin e tyre.

Shpresimi e sheh programin e Fellowship-it të Teach For Kosova si një mundësi për të zhvilluar më tej idetë dhe pasionin e tij për arsimin, si dhe për të bashkëpunuar me individë të përkushtuar që synojnë përmirësimin e sistemit arsimor dhe krijimin e mundësive të barabarta për çdo nxënës/e.

Sipas Shpresimit, arsimi merr kuptim të vërtetë kur nxënësit/et nuk mësojnë vetëm përmes teorisë, por kur kanë mundësinë ta përjetojnë dijen në praktikë dhe të besojnë në potencialin e tyre. Ai beson se roli i mësimdhënësit/es është të frymëzojë nxënësit/et të mendojnë, të krijojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Për këtë arsye, ai shprehet se: “Arsimi ka vlerë të vërtetë kur çdo nxënës/e ka mundësinë të mësojë, të praktikojë dhe të besojë se edhe ai/ajo mund të krijojë ndryshim.”

Share this Post: