Dr. Lendrit Qeli është pjesëtar i komunitetit egjiptian dhe studiues në fushën e komunikimit social dhe shkencave të informacionit. Studimet e tij akademike i ka filluar në fushën e drejtësisë, ku nga shkolla e mesme deri në nivelin e magjistraturës është formuar në disiplinat juridike. Ai ka përfunduar Bachelor në Juridik të Përgjithshëm, ndërsa studimet e magjistraturës në të drejtën kushtetuese dhe administrative.
Më pas ka përfunduar studimet doktorale në fushën e komunikimit social dhe shkencave të informacionit në University of Library Studies and Information Technologies (ULSIT) në Sofje, Bullgari, ku është fokusuar në çështje që lidhen me komunikimin publik, mediat, përfaqësimin e pakicave dhe përfshirjen sociale.
Dr. Qeli njihet si aktivist, vullnetar dhe iniciator i shumë nismave qytetare, i angazhuar prej vitesh në promovimin e të drejtave të njeriut dhe në luftimin e diskriminimit ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Që nga mosha e hershme e fëmijërisë ai ka qenë aktiv në fushën e kulturës dhe medias. Gjatë shkollës fillore, që nga klasa e tretë, ishte i angazhuar në teatrin e fëmijëve, si dhe në udhëheqjen e një emisioni për fëmijë në Radio Gjakova – përvojë që ndikoi në formimin e interesit të tij për komunikimin publik, mediat dhe aktrimin në teatër, një angazhim që vazhdon edhe sot.
Aktualisht ai shërben si Drejtor i Zyrës për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Rahovecit, ndërsa njëkohësisht është edhe kryesues i kolegjiumit të Zyrave për Komunitete dhe Kthim në Kosovë, në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Si pjesë aktive e sektorit të medias dhe shoqërisë civile, ai është themelues i redaksisë së komunitetit egjiptian “Spektri Egjiptian” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe drejtor ekzekutiv i organizatës dhe mediumit “Prosperiteti”, i cili konsiderohet mediumi i vetëm i komunitetit egjiptian në Ballkan.
Ai ka shërbyer për dy mandate në Zyrën e Presidentit të Kosovës, në kuadër të Këshillit Konsultativ për Komunitete, ku ka mbajtur rolin e kryesuesit të Komisionit për Arsim, Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Përmes angazhimit të tij ka realizuar një numër të madh projektesh kulturore dhe shoqërore, ndër të cilat veçohen Festivali “Java Egjiptiane” dhe Festivali i Filmit dhe Teatrit “Art Skena Egjiptiane”, si dhe shumë iniciativa edukative, shëndetësore dhe projekte për ngritjen e vetëdijes publike. Ai është gjithashtu autor i gjashtë librave në zhanret prozë, poezi dhe letërsi për fëmijë, si dhe i librit studimor-analitik kushtetues-shoqëror “Pakicat dhe Demokracia në Kosovë”, i cili synon të shërbejë si referencë për studiuesit e çështjeve të komuniteteve joshumicë, veçanërisht për njohjen me antropologjinë e komuniteteve joshumicë.
Si pjesë e Teach For Kosova, ai synon të kontribuojë në forcimin e politikave për arsimin gjithëpërfshirës, duke promovuar barazinë në arsim dhe duke inkurajuar fëmijët nga komunitetet e margjinalizuara që ta shohin arsimin si rrugën kryesore drejt emancipimit dhe zhvillimit shoqëror. Gjithashtu synon të kontribuojë në institucionet arsimore për përfshirjen në tekstet shkollore të pjesëve të shkurtra nga historia dhe kultura e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, përmes narrativave pozitive që ndihmojnë në zbutjen e paragjykimeve dhe në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
“Arsimi është çelësi që hap dyert e mundësive dhe i jep çdo fëmije, pavarësisht prejardhjes, etnisë apo gjinisë, forcën për të ndërtuar të ardhmen e vet. Askush nuk duhet ta mohojë këtë të drejtë, sepse paragjykimet janë si pikëpyetja, ato kurrë nuk mund të barazohen me shenjën e barazimit.”
Ai ka dëshirë të kontribuojë veçanërisht në arsimin fillor dhe të mesëm, në lëndën e Edukatës Qytetare, duke theksuar rëndësinë që në një shoqëri multietnike si Kosova të trajtohen temat e pakicave, diversitetit kulturor dhe etnik, si dhe të drejtave të njeriut.








