Hazbije Haxhiu-Musliu

1387-title

Hazbije Haxhiu, 27 vjeçe, është nga Gjilani. Studimet themelore i ka përfunduar në Fakultetin e Edukimit, në programin Arsim Fillor, në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Studimet Master i përfundoi në të njëjtin universitet, në programin Mësimdhënie në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Hazbija gjithmonë ka synuar të kontribuojë në fushën e arsimit dhe në ngritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar në Kosovë. Në këtë drejtim, ajo është përfshirë aktivisht në trajnime dhe seminare të shumta në fushën e mësimdhënies, të cilat e kanë ndihmuar të zhvillojë më tej qasjen e saj profesionale dhe të sjellë shembuj bashkëkohorë në procesin mësimor për nxënësit/et.

Rrugëtimin e saj profesional si mësimdhënëse e nisi në vitin 2020, fillimisht në rolin e mësueses mbështetëse, për të vazhduar më pas si mësimdhënëse e ciklit klasor 1–5 në Komunën e Kamenicës. Në punën e saj ajo zbaton metodologji bashkëkohore të mësimdhënies, përdor platforma digjitale si SchoolMe, realizon aktivitete jashtëkurrikulare dhe mbështet vlerësimin sipas Kurrikulës së Kosovës (KKK). Qëllimi i saj është të ndihmojë nxënësit/et të mësojnë në mënyrë të pavarur, duke zhvilluar iniciativën, autonominë, kreativitetin dhe diversitetin në procesin e të nxënit.

Gjatë këtyre viteve ajo është angazhuar edhe në projekte të Programit KosEd, ku ka kontribuar në rishikimin e teksteve shkollore në bashkëpunim me MASHTI, me qëllim përmirësimin e cilësisë së teksteve dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e mësimdhënies në klasë. Po ashtu, me angazhimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), ajo ka qenë pjesë e Ekipit Vlerësues të Jashtëm Komunal për Vlerësimin e Brendshëm të Shkollave, duke kontribuar në procese vlerësimi mbështetëse që promovojnë politika jodiskriminuese dhe kulturë bashkëpunimi në shkolla.

Angazhimin e saj në Fellowship-in Teach For Kosova 2026 e sheh si vazhdimësi të përkushtimit për të ndërtuar një mjedis mësimor të suksesshëm dhe gjithëpërfshirës, në bashkëpunim me një ekip që ndan të njëjtat vlera për të ardhmen e nxënësve/eve. Ajo beson se çdo nxënës/e duhet të njihet dhe të vlerësohet për atë që është, për atë që shpreh dhe për potencialin që përpiqet të zhvillojë.

Sipas Hazbijes, mësimdhënia nuk duhet të shihet vetëm si profesion, por si një mision që realizohet me pasion. Duke iu referuar edhe thënies së njohur të Peter Drucker, “Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë”, ajo thekson se ndërtimi i së ardhmes së nxënësve është një përgjegjësi e përbashkët. Përmes këtij angazhimi, nxënësit/et mund të zhvillojnë karakter të fortë dhe të kultivojnë vlera të larta shoqërore.

Share this Post: