Remzije Lloga, nga Struga, aktualisht jeton dhe vepron në Prishtinë. Studimet themelore i ka përfunduar në Universitetin e Tetovës, në programin Pedagogjia e Pikturës, ku ka fituar titullin Bachelor i Arteve të Bukura. Gjatë studimeve të saj, ajo pati mundësinë të zhvillojë përvojë akademike dhe artistike edhe në Accademia di Belle Arti në Perugia, Itali, duke zgjeruar njohuritë dhe perspektivën e saj në artin bashkëkohor dhe edukimin artistik.
Fushat e saj të interesit përfshijnë edukimin artistik, kreativitetin në mësimdhënie dhe përdorimin e artit si mjet për të nxitur mendimin kritik dhe shprehjen personale te nxënësit/et.
Karrierën e saj në mësimdhënie e zhvillon si mësimdhënëse e artit në Finnish School of Kosovo në Prishtinë, ku krijon një ambient gjithëpërfshirës dhe frymëzues për nxënësit/et përmes aktiviteteve artistike dhe projekteve kreative. Ajo gjithashtu ka përvojë si instruktore arti dhe vazhdon të zhvillojë praktikën e saj artistike përmes projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme krijuese.
Remzija e sheh Fellowship-in e Teach For Kosova si një mundësi për të kontribuar në zhvillimin e arsimit dhe për të ndikuar pozitivisht në jetën e nxënësve/eve përmes kreativitetit dhe mësimdhënies inovative. Ajo beson se çdo nxënës/e ka potencial unik dhe se arsimi duhet të krijojë hapësirë për ta zbuluar dhe zhvilluar atë.
Sipas Remzijes, të arsimosh nuk do të thotë të krijosh hierarki apo autoritet, por të ndërtosh një hapësirë ku nxënësit/et ndihen të lirë të mendojnë, të pyesin dhe të shprehen. Ajo beson se roli i mësuesit/es është të frymëzojë dhe të udhëheqë nxënësit/et drejt zhvillimit të potencialit të tyre.



