Albulena Limani, 29 vjeç, është e lindur në Bujanoc. Studimet themelore i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, në degën Letërsi Shqipe. Aktualisht është duke vazhduar studimet master në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, me fokus në Mësimdhënien e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Albulena është në rrugën e saj të formimit profesional dhe beson se ndryshimi fillon nga vetja. Për këtë arsye, ajo ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme profesionale dhe e sheh angazhimin e saj në arsim si një mundësi për të ndikuar pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së tij.
Karrierën e saj si mësimdhënëse e ka nisur në qytetin e Gjilanit, në një shkollë publike, ku ka kontribuar për rreth një vit e gjysmë. Aktualisht vazhdon të kontribuojë në një tjetër shkollë publike. Filozofia e saj e punës si mësimdhënëse bazohet në krijimin e një marrëdhënieje të shëndetshme ndërmjet nxënësit/es dhe mësimdhënësit/es, ku mësimdhënësi/ja beson plotësisht në potencialin e çdo nxënësi/eje dhe punon vazhdimisht për ta nxjerrë atë në pah.
Albulena beson fuqishëm se përmes një sistemi cilësor të edukimit mund të arrihet një ndryshim i vërtetë shoqëror. Sipas saj, Teach For Kosova ofron mundësinë për të kontribuar në këtë drejtim, duke bashkëpunuar me njerëz që ndajnë të njëjtin përkushtim për përmirësimin e arsimit.
Në punën e saj si mësimdhënëse, ajo e sheh shumë të rëndësishme krijimin e një ambienti ku nxënësit/et ndihen të respektuar/a, të mbështetur/a dhe të vlerësuar/a. Marrëdhënia mes mësuesit/es dhe nxënësit/es ka një rol kyç në procesin e edukimit, sepse, siç ka thënë edhe Rita Pearson: “Nxënësit mësojnë nga mësimdhënësit që i duan dhe i respektojnë.”











