Nora Kelmendi ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në Departamentin e Biologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Më pas ajo vazhdoi studimet master në Fakultetin e Edukimit, në programin Master i Mësimdhënies Lëndore – Mësimdhënia e Biologjisë, po ashtu në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë studimeve të saj, Nora ka zhvilluar një interes të veçantë për fushën e mësimdhënies, duke u fokusuar në mënyra të reja dhe efektive për ta bërë procesin e të nxënit më kuptimplotë dhe më motivues për nxënësit/et.
Që nga shtatori 2025, ajo punon si mësimdhënëse e Biologjisë në një shkollë publike në komunën e Prishtinës. Në punën e saj të përditshme, ajo përpiqet ta bëjë biologjinë më të kuptueshme dhe më interesante për nxënësit/et, duke i lidhur konceptet shkencore me jetën e përditshme dhe duke i inkurajuar ata të jenë kureshtarë, aktivë dhe të angazhuar në procesin e të nxënit.
Nora e sheh profesionin e mësimdhënies si një mundësi për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin e gjeneratave të reja. Motivimi i saj për t’u bërë pjesë e Teach For Kosova lidhet me dëshirën për të kontribuar në përmirësimin e sistemit arsimor dhe për të mbështetur misionin e organizatës për të siguruar qasje në arsim cilësor për të gjithë nxënësit/et në Kosovë, pa dallim etnie, gjinie, race dhe religjioni. Ajo beson se përmes bashkëpunimit, përkushtimit dhe inovacionit në mësimdhënie mund të krijohen mundësi më të mira për secilin/secilën nxënës/e.
Një mendim që përfaqëson më së miri vlerat dhe qasjen e saj ndaj arsimit është:
“Arsimimi duhet t’i përgatisë nxënësit për sfidat e jetës dhe për tregun e punës. Andaj sistemi arsimor, por edhe ne si mësimdhënës/e, kemi një obligim moral dhe profesional të krijojmë një mjedis të përshtatshëm për të gjithë nxënësit/et, ku ata/ato të ndihen të pranuar/a dhe të vlerësuar/a. Një mjedis pozitiv dhe inkurajues i ndihmon nxënësit/et të aktivizohen, të zhvillojnë aftësi dhe shkathtësi, të bëhen mendimtarë/e kritikë/e dhe kreativë/e, si dhe të ndërtojnë vlerat dhe qëndrimet e duhura për të ardhmen.”






