Eriona Hoti, 28 vjeçare, nga Klina, ka përfunduar studimet master në Komunikim Strategjik dhe Avokim në James Madison University (SHBA), me interes të veçantë për përmirësimin e arsimit në Kosovë dhe fuqizimin e komuniteteve përmes dialogut. Ajo ka mbi shtatë vite përvojë në gazetari, ku ka raportuar kryesisht për çështje sociale dhe histori njerëzore që ndikojnë në komunitet.
Përveç përvojës në gazetari, Eriona për dy vite ka punuar si asistente e lëndës së komunikimit në James Madison University dhe është angazhuar në fusha që lidhen me komunikimin strategjik, avokimin dhe angazhimin e komunitetit. Ajo beson se mendimi kritik, dialogu dhe empatia janë elemente thelbësore për ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më paqësore.
Interesimet e saj përfshijnë avokimin për cilësi më të mirë në arsim, zhvillimin e mendimit kritik dhe përdorimin e edukimit si mjet për të ndërtuar mirëkuptim dhe bashkëpunim në komunitet, për të mirën e përgjithshme.
Eriona e sheh programin e Fellowship-it të Teach For Kosova si një mundësi për të kontribuar në zhvillimin e një mjedisi arsimor më gjithëpërfshirës dhe për të ndihmuar nxënësit/et të besojnë në potencialin e tyre, duke aplikuar teknikat arsimore të fituara në SHBA. Ajo synon të krijojë hapësira në klasë ku nxënësit/et ndihen të dëgjuar/a, të respektuar/a dhe të inkurajuar/a të zhvillojnë mendimin kritik.
Sipas Erionës:“Arsimi nuk është vetëm për të mësuar fakte dhe teori, por për të ndihmuar nxënësit të kuptojnë botën, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të besojnë në fuqinë e tyre për të sjellë ndryshim.”




