Ariselda Behra

1393-title

Ariselda Behra, 24 vjeç, është nga Komuna e Rahovecit. Studimet bachelor i ka përfunduar në Kolegjin AAB, në drejtimin Gjuhë dhe Letërsi angleze, ndërsa aktualisht është duke ndjekur studimet master në Universitetin e Tetovës, në programin Metodologjia e Mësimdhënies.

Prej tre vitesh ajo punon si mësimdhënëse e Gjuhës Angleze, ku ka pasur mundësinë të punojë me nxënës të niveleve dhe grupmoshave të ndryshme, nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Kjo përvojë e ka ndihmuar të zhvillojë më tej aftësitë e saj profesionale dhe të kuptojë më mirë nevojat dhe potencialin e secilit nxënës/e.

Motivimi i saj për t’u bërë pjesë e programit të Fellowship-it të Teach For Kosova lidhet me dëshirën për të kontribuar në përmirësimin e arsimit dhe për të mbështetur zhvillimin e nxënësve/eve, veçanërisht në hapësirat ku nevojitet më shumë përkushtim dhe mbështetje. Njohja me misionin dhe punën e kësaj organizate i ka dhënë një drejtim më të qartë synimit të saj për të ndikuar pozitivisht në rrugën e dijes.

Në punën e saj si mësimdhënëse, Ariselda synon të krijojë një ambient të dashur dhe mbështetës, ku çdo nxënës/e ndihet i/e respektuar, i/e dëgjuar dhe i/e vlerësuar. Ajo beson se një mjedis i ngrohtë e bën më të natyrshme dhe më të lehtë dëshirën për të mësuar. Për këtë arsye, vazhdimisht kërkon mënyra kreative për ta bërë procesin e të nxënit më tërheqës për fëmijët, përmes lojërave edukative dhe aktiviteteve të ndryshme që i ndihmojnë ata të ndihen të motivuar gjatë mësimit.

Ajo beson gjithashtu se roli i mësimdhënësit/es është të ndihmojë çdo fëmijë të zbulojë dhe të shprehë potencialin që mban brenda vetes, edhe atëherë kur mund të ketë hezitim apo frikë ta tregojë atë. Synimi i saj është që nxënësit/et të ndihen të sigurt në veten e tyre, të dëgjohen dhe të kenë guximin të shprehin aftësitë dhe talentet e tyre.

Një thënie që e frymëzon në punën e saj është ajo e Henry Adams: Një mësues/e ndikon në përjetësi; ai kurrë nuk mund ta dijë se ku përfundon ndikimi i tij.

Kjo ide përmbledh mënyrën se si Ariselda e sheh profesionin e mësuesit/es: si një rol që lë gjurmë të qëndrueshme në jetën e nxënësve/eve dhe që kontribuon në formimin e tyre si individë dhe si pjesë aktive e shoqërisë.

Share this Post: