Alban Goranci

1386-title

Alban Goranci, 31 vjeç, është nga Gjakova. Studimet e nivelit bachelor i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Arteve, në drejtimin Aktrim, ndërsa ka ndjekur gjithashtu studime në Komunikim Masiv dhe Gazetari në Kolegjin AAB. Më pas, ai vijoi studimet e nivelit master në programin Aktrim në Film dhe Televizion në Universitetin e Prishtinës, duke fituar titullin Master i Aktrimit në Film dhe Televizion.

Pas përfundimit të studimeve, Albani u angazhua në projekte të ndryshme teatrore dhe filmike, duke bashkëpunuar me produksione vendore dhe të huaja, si dhe në një sërë serialesh vendore dhe prodhime të tjera televizive. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në shfaqje operistike, ku ka pasur rolin e asistentit të regjisorit në Chur të Zvicrës dhe ka interpretuar si aktor-narrator në operën “Maria de Buenos Aires”, vitin e kaluar në Prishtinë. Këto përvoja artistike dhe kreative i kanë mundësuar një njohje më të thellë të fushës artistike dhe kulturore.

Përveç angazhimeve artistike, Albani është përfshirë edhe në punë me të rinjtë, duke shërbyer si mentor teatri në organizatën YIHR në vitin 2022. Përvoja e punës me të rinjtë dhe të rejat ka ndikuar në formësimin e pikëpamjeve të tij për rëndësinë e edukimit dhe për rolin që arti dramatik mund të luajë në zhvillimin e nxënësve/eve, veçanërisht në arsimin fillor.

Po ashtu, ai ka punuar si gazetar në televizionin ATV gjatë viteve 2020–2021 dhe ka qenë autor i shkrimeve, analizave dhe kritikave për teatër dhe film në platforma dhe organizata të ndryshme si Sbunker, K2.0, Britmi i Parë, si dhe në media online si KultPlus dhe InLajmi.

Përvoja e tij në art, kulturë dhe gazetari e kanë orientuar drejt mësimdhënies, me synimin për t’u përcjellë nxënësve/eve njohuri të gjera artistike dhe kulturore, si dhe për t’i inkurajuar ata që të eksplorojnë dhe zhvillojnë interesin për artin.

Duke iu referuar edhe thënies së Vidal Sassoon: “I vetmi vend ku suksesi vjen përpara punës është në fjalor.”, Albani i jep përparësi punës, përkushtimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm, duke besuar se këto janë elementet që e çojnë një individ drejt suksesit.

Share this Post: