
Kaltrina Kalludra, nga Mitrovica, ka përfunduar studimet themelore në Universitetin “Isa Boletini” - Mitrovicë në Fakultetin e Edukimit, ndërsa është në fazën përfundimtare të studimeve master në drejtimin “Mësimdhënia dhe Kurrikula” në Universitetin e Prishtinës.
Kaltrina e nisi karrierën e saj si mësimdhënëse në vitin 2022, duke punuar me nxënës të klasave I - V në një OJQ në Mitrovicë, ku u angazhua në zhvillimin e aftësive bazë dhe krijimin e një mjedisi edukativ mbështetës. Puna me nxënës të moshave të ndryshme i ka mundësuar Kaltrinës të zhvillojë aftësi të rëndësishme për përshtatjen e metodave të mësimdhënies dhe krijimin e një mjedisi mbështetës dhe stimulues për grupmosha të ndryshme. Ajo ka mësuar se çdo moshë kërkon qasje dhe mënyra të ndryshme për të arritur sukses, dhe kjo ka forcuar angazhimin e saj për të ofruar një përvojë mësimore të pasur dhe të përshtatur për çdo nxënës.
Aktualisht, Kaltrina është duke punuar si mësimdhënëse e klasës së parë në një shkollë private në komunën e Prishtinës. Filozofia e saj e mësimdhenies përqendrohet në krijimin e një mjedisi mësimor gjithëperfshirës, inkurajues dhe mbështetës, ku nxënësit inkurajohen të jenë pjesëmarrës aktivë në procesin mësimor. Ajo beson në përdorimin e metodave të ndryshme mësimore, përmes të cilave nxitet zhvillimi i aftësive të ndryshme si mendimi kritik, kreativiteti, bashkëpunimi, komunikimi, e aftësi të tjera të domosdoshme për shekullin XXI.
Kaltrina është e motivuar të bëhet pjesë e “Teach For Kosova” sepse beson fuqishëm se çdo nxënës ka potencialin të arrijë më të mirën nga vetja dhe është e përkushtuar për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit, duke iu mundësuar atyre të zhvillojnë aftësitë dhe pasionet e tyre. Ajo e sheh mundësinë për t’u bashkuar në këtë program si një hap të rëndësishëm në realizimin e këtij misioni për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.
Për Kaltrinën, arsimi është themeli i çdo ndryshimi të vërtetë dhe siç thotë edhe një citat i njohur: “Arsimi është arma më e fuqishme për të ndryshuar botën.” Kaltrina beson se mësuesit kanë fuqinë dhe përgjegjësinë për të formuar breza të rinj që mund të sjellin ndryshime të mëdha në shoqëri, dhe se çdo investim në arsimin e të rinjve është një investim në të ardhmen e vendit.