
Ardiana Selimi është një profesioniste e përkushtuar në fushën e arsimit dhe zhvillimit të komunitetit. E lindur në Kaçanik, ajo përfundoi studimet bachelor në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Tetovës dhe është aktualisht studente e vitit të parë në programin master “Udhëheqje në Arsim” në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës.
Vullnetarizmi dhe rrjetizimi ishin dhe vazhdojnë të mbeten pasioni i Ardianës, e cila si e re shërbeu si udhëheqëse e iniciativave të ndryshme lokale, të cilat i hapën dyert e mundësive për rritje, pozita dhe përgjegjësi më të larta.
Dëshirën për eksperiencë në arsim ajo si e re e filloi si pjesë e kampeve të ndryshme verore me fëmijë duke vazhduar edhe në shkolla private. Përvoja e saj përfshin shumë trajnime profesionale, ku më vonë ajo u angazhua në fushën e menaxhimit të projekteve në sektorin privat, tashmë afër 4 vite eksperiencë duke udhëhequr projekte të ndryshme me donatorë ndërkombëtarë si Caritas Switzerland, GIZ, USAID etj., dhe duke shërbyer gjithashtu si trajnere për aftësi të buta dhe ndërmarrësi.
Ardiana tash e 5 vite është pjesë e organizatës The Library Project Kosova, e cila ka për mision zhvillimin e lexim-kuptimit te fëmijët dhe motivimin e tyre që të jenë lexues gjatë gjithë jetës. Si rezultat i pasionit për librin, kishte filluar si vullnetare, pastaj menaxhere e projekteve dhe, falë përkushtimit për punë dhe ndikim, ajo tash që një vit e gjysmë ushtron detyrën e drejtoreshës ekzekutive të organizatës.
Si pjesë e Teach For Kosova, Ardiana e sheh Programin e Fellowshipit si një mundësi të bashkimit të forcave për të fuqizuar shtyllën e shtetit e që është arsimi i mirëfilltë.
Sipas Ardianës, objektiva bazë e sistemit të arsimit duhet të jetë mbështetja e fëmijëve në rritjen e tyre njerëzore, ku ajo thekson rëndësinë e mësimit tërëjetësor dhe aftësive për jetë. Ne, si udhëheqës ose mësimdhënës, duhet që nxënësit t’i bëjmë të duan shkollën, t’i inspirojmë dhe jo vetëm t’i mësojmë, t’i vlerësojmë për përpjekjet dhe jo për rezultatet, t’i ndihmojmë të krijojnë aftësi që i duhen për jetë, në mënyrë që të kenë dëshirë për të investuar në veten e tyre dhe për të kontribuar në komunitet.
“Edukimi është arma më e fuqishme që mund të përdorim për të ndryshuar botën.” — Nelson Mandela
Besimi në komunitet është çelësi i ndryshimit të shoqërisë, prandaj, siç thekson Ardiana, për të kapur këto armë duhet të krijojmë një ushtri me vizion të përbashkët, siç është komuniteti fuqiplotë që kemi.