Ekspert/e në Çështje Gjinore dhe Edukim

+ Rreth projektit

Teach For Kosova (TK) po implementon projektin trevjeçar "Let Girls Thrive" si përgjigje ndaj një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballen vajzat në Kosovë – mungesës së edukimit mbi shëndetin riprodhues dhe edukimin seksual. Kjo mungesë prek veçanërisht vajzat, të cilat janë më të ekspozuara ndaj dukurive si braktisja e shkollës, shtatzënitë e padëshiruara, martesat e hershme, dhuna me bazë gjinore dhe ngacmimet seksuale.

Për më tepër, dështimi i institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë për të ofruar mbrojtje efektive, si dhe neglizhenca e përgjithshme e shoqërisë ndaj këtyre çështjeve, e thellojnë edhe më tej diskriminimin dhe cenojnë të drejtat themelore të vajzave. Përmes këtij projekti, Teach For Kosova synon të fuqizojë vajzat, të promovojë një qasje gjithëpërfshirëse dhe të mbështesë krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të drejtë për të gjitha vajzat që të zhvillohen.

Këtë vit, Teach For Kosova ka rekrutuar 23 fellows, prej të cilëve 6 fellows do të vendosen në gjashtë komuna të Kosovës, ku do të japin mësim lëndën zgjedhore të barazisë gjinore për një periudhë njëvjeçare. Për ta realizuar këtë sa më mirë, kemi nevojë për një trajner/e, i/e cili/a do të trajnojë fellows për mënyrat se si të integrojnë perspektivën gjinore në procesin mësimor.

Do të krijohen 3 module, të cilat do të zhvillohen gjatë 8 ditëve trajnimi (një trajnim në muaj). Modulet do të përfshijnë:

Moduli I
Ky modul do të përfshijë informacion bazik mbi barazinë gjinore dhe ligjet në Kosovë që lidhen me këtë temë. Ai do të shërbejë si një hap fillestar i rëndësishëm për ndërtimin e një kuptimi të përbashkët mes pjesëmarrësve në program (fellows) mbi atë se çfarë është barazia gjinore dhe si lidhet ajo me punën e tyre si mësimdhënës.

Moduli II
Ky modul do të fokusohet në pengesat me bazë gjinore me të cilat përballen vajzat në Kosovë, veçanërisht ato nga komunitetet e margjinalizuara. Disa nga këto pengesa përfshijnë: pritshmëritë më të ulëta krahasuar me djemtë, normat tradicionale gjinore të përforcuara në klasa, dhunën me bazë gjinore, mundësitë e kufizuara për udhëheqje, mungesën e qasjes në produkte të higjienës menstruale, mungesën e informacionit mbi shëndetin riprodhues dhe mungesën e edukimit seksual. Pjesëmarrësit do të pajisen me strategji dhe teknika për të identifikuar dhe adresuar këto çështje në klasat e tyre, përmes metodave dhe stileve kreative të mësimdhënies.

Moduli III
Moduli i tretë do të fokusohet në fuqizimin e vajzave dhe barazinë gjinore, duke u ofruar mësimdhënësve informacione dhe strategji për krijimin e një mjedisi klase më gjithëpërfshirës dhe të drejtë. Ky modul do të përfshijë udhëzime mbi mënyrat se si të krijohen mundësi që vajzat të zhvillojnë aftësi udhëheqëse dhe vetëvendosje, si të përfshihen familjet dhe komuniteti në edukimin e vajzave, si dhe si të krijohen hapësira që ato të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse në klasë, në shkollë dhe në komunitet.

Si pjesë e këtij angazhimi, trajneri/ja do të punojë gjithsej 24 ditë, nga shtatori 2025 deri në maj 2026. Çdo muaj do të përfshijë 3 ditë pune (duke përfshirë edhe ditën e trajnimit), gjatë të cilave trajneri/ja do të shqyrtojë planet mësimore të fellows dhe do të ofrojë komente e sugjerime konkrete lidhur me përfshirjen e perspektivës gjinore në secilën orë mësimore.

Përgjegjësia:

Ditët

Periudha

Trajnimet mujore (1 herë në muaj)

8

Shtator 2025 – Maj 2026

Shqyrtimi i planeve mësimore

16

Tetor 2025 – Maj 2026

Total:

24 ditë

+ Kualifikimet dhe përvoja e kërkuar:

Kandidati/ja ideal/e duhet të përmbushë kriteret në vijim:

1. Arsimimi
o Diplomë Masteri në Studime Gjinore, Sociologji, Politika Publike, Edukim, ose fusha të ngjashme relevante. Përparësi kanë kandidatët me specializim të drejtpërdrejtë në çështje gjinore.

2. Njohuri të kontekstit lokal:
o Njohje e thellë e sistemit arsimor në Kosovë, përfshirë kornizat ligjore dhe politikat që lidhen me edukimin dhe barazinë gjinore.

3. Përvojë profesionale:
o Minimum 3 vite përvojë pune si trajner/e në fushën e çështjeve gjinore, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve të profesionistëve në sektorë të ndryshëm.
o Përvojë praktike në ofrimin e trajnimeve që lidhen me përfshirjen e perspektivës gjinore në dokumente zyrtare, si politika publike, strategji institucionale, ose dokumente të organizatave joqeveritare.

4. Aftësi të tjera të dëshirueshme:
o Aftësi të shkëlqyera komunikimi dhe prezantimi.
o Aftësi për të hartuar materiale trajnimi dhe për të punuar me grupe të ndryshme (p.sh. mësimdhënës, organizata të shoqërisë civile, institucione publike).
o Aftësi për të dhënë udhëzime dhe komente konstruktive mbi plane mësimore dhe përmbajtje edukative.
o Njohuri të mira të gjuhës shqipe dhe angleze (me shkrim dhe me gojë).

+ Për të aplikuar, ju lutemi bashkëngjitni këto dokumente:

  • CV-në;

  • Referenca që dëshmojnë përvojën në trajnime dhe arsim joformal.

  • Oferta financiare: Oferta financiare duhet të paraqitet në formë të ditëve të punës, duke specifikuar tarifën ditore dhe koston totale të angazhimit.

+ Si të aplikoni?

  1. Dërgoni Aplikimin Tuaj me Email: Dërgoni dokumentet tuaja në [email protected]. Ju lutemi të përfshini titullin e thirrjes në emailin tuaj. Afati i fundit për aplikimet është 12 shtator 2025.

+ Të tjera

  • Raporton: Menaxherit/es të Projektit

  • Periudha e angazhimit: 24 ditë

  • Vendndodhja: Prishtinë, Kosovë

Share this Post: