
Esra Çukiqi, 28-vjeçare nga Prizreni, ka përfunduar studimet bachelor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, drejtimi Matematikë Financiare për Banka dhe Sigurime.
Pas një përvoje të larmishme në fusha të ndryshme, ajo gjeti veten në profesionin e mësimdhënies, ku pasioni për matematikën dhe përçimi i dijes u bënë udhërrëfyes të karrierës së saj.
Esra filloi të japë mësim për herë të parë në vitin 2019 përmes kurseve private individuale me nxënës të klasave 4-6. Aktualisht, ajo është mësimdhënëse e matematikës në qendrën "Future Education", ku punon me nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën, në grupe dhe individualisht. Përmes metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe një përkushtimi të veçantë, ajo ndihmon nxënësit të rrisin vetëbesimin, të zhvillojnë aftësi bashkëpunuese, dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Një ndër cilësitë që e përfaqëson Esrën më së miri është dedikimi dhe pasioni i saj ndaj matematikës. Edhe pse ka punuar në lëmi të ndryshme prap i është kthyer mësimdhënies në të cilën e gjen veten më së shumti. Prandaj, nga Teach for Kosova shpreson të fitojë një experiencë edukative, të mund t'i përdorë dhe t'i përforcojë njohuritë e saj në të mësuarit e matematikës.
Arsimi është çelësi për të hapur një botë plot mundësi, ndërsa matematika është gjuha e universit; ta zotërosh atë hap mundësi pa fund. Ajo ndërton vetëbesim, mpreh mendjen dhe përgatit individët për të përballuar sfidat e jetës me logjikë dhe vendosmëri.
Pavarësisht se ku ndodheni në jetë, mos ndaloni kurrë së mësuari, mos ndaloni kurrë së zhvilluari dhe mos ndaloni kurrë së besuari në fuqinë e arsimit—dhe në bukurinë e matematikës.