Përshëndetje, jam Besa dhe vij nga Prishtina. Rrugëtimi im në profesionin që kam tanimë ka qenë sfidues por edhe i këndshëm. Ndryshe nga një shumicë e madhe e fëmijëve që nuk e duan lëndën e matematikës dhe që e shohin si tejet të vështirë, për mua rezultoi të ishte e preferuara ime qysh para se të futesha në klasën e parë. Ky pëlqim përgjatë shkollimit fillor dhe atij të mesëm vazhdoi dhe rrjedhi natyrshëm, njëherësh më bëri të përcaktohesha për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, drejtimi: Matematikë financiare, në Universitetin e Prishtinës, ku diplomova në vitin 2018. Po atë vit vazhdova studimet master në Fakultetin e Edukimit, drejtimi: Mësimdhënie lëndore me specializim në matematikë. Me fillimin e studimeve master u punësova në qendrën Smart Center ku kisha rolin e mësimdhënëses së matematikës për të gjitha moshat për periudhën gjashtë mujore. Më 7 Mars të vitit 2019 themelova qendrën e kurseve të matematikës MathMania. Ka më shumë se një vit që posedoj rolin e mësimdhënëses së matematikës, nga niveli fillor deri tek ai universitar. Përgjatë studimeve kam fituar njohuri nga ato më të përgjithshme e deri tek ato më specifike për çështjet e edukimit dhe arsimimit të nxënësve. Kam qenë pjesë e disa praktikave në shkolla publike të Prishtinës dhe aty më për së afërmi kam parë nevojat dhe problematikat që i hasin nxënësit në përditshmëri. Tani jam në përfundim të studimeve master dhe orientimi im ndaj fushës së edukimit dhe arsimit me shumë bindje e them se ka qenë ndër vendimet e mia më të mira sepse i fundit ishte bashkimi me organizatën Teach For Kosova. Besoj fuqishëm se së bashku me Teach For Kosova do të arrijmë të zgjidhim dhe adresojmë çdo shqetësim të nxënësve, të sistemit arsimor dhe edukativ të vendit tonë, Kosovës.